Lajme Shqip Tuesday, 08 September 2015 22:33

Ndërhyrja e Gjermanisë në konfliktin e Kosovës mbetet ende temë që diskutohet shumë. Pjesa më e madhe e mediumeve serioze gjermane e mbështesin bombardimin e Serbisë për t’i dhënë fund krimeve në Kosovë kundër popullsisë shqiptare.

Më shumë se 15 vjet pas bombardimeve, televizioni publik gjerman ZDF për emisionin “Të takosh historinë” ka intervistuar ish-ministrin e Jashtëm, Joschka Fischer.

“Unë kam qenë i bindur se po bëjmë atë që duhet bërë. Por nëse e kemi bërë si duhet atë që duhet bërë – kjo është çështje tjetër”, ka deklaruar Fischer.

Në emisionin “Kosova 99 – Ushtria gjermane në luftë”, autori i emisionit Wolf-Christian Ulrich prezanton ngjarjet e atëhershme, të cilat ushtrinë gjermane e shndërruan nga ushtri mbrojtëse në ushtri sulmuese. Emisioni do të shfaqet më 11 shtator, në orën 19:30 në ZDFinfo.

Fischer ka treguar se nëse koalicioni i atëhershëm qeverisës do t’i kishte thënë jo pjesëmarrjes në luftën e Kosovës, atëherë ky do të ishte edhe fundi i koalicionit. Në emision flet edhe Hans-Christian Ströbele, koleg partiak i Fischerit dhe kundërshtar i intervenimit, transmeton “DialogPlus.ch”.

Se si e kanë përjetuar njerëzit luftën në vitin 1999, tregojnë bisedat që Wolf-Christian Ulrich ka zhvilluar në Beograd dhe Prishtinë.

Besa Luzha nga Prishtina e kishte përjetuar ndërhyrjen e NATO-s si çlirim, ndërsa Renate Flottau, korrespondente e atëhershme e revistës “Der Spiegel”, tregon se si kishte përjetuar net të tëra me frikë dhe në shtëpi që dridheshin.

Për luftën e Kosovës flet edhe koloneli Michael Krah, i cili ka qenë njëri prej pilotëve të avionëve “Tornado”, të cilët morën pjesë në luftën e parë gjermane pas vitit 1945.