Janë finalizuar negociatat ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë, të cilat hapin mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe mënjanimin e evazionit fiskal.
Këto negociata janë zhvilluar në mes të delegacionit nga Ministria e Financave të Kosovës dhe delegacionit nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë.
Finalizimi i këtyre negociatave në nivel të ekspertëve do të bëj të mundur që në një të ardhme të afërt të bëhet edhe nënshkrimi formal i kësaj marrëveshjeje.
“Kjo marrëveshje është në interes të të dyja vendeve, meqenëse do të bëjë të mundur eleminimin e tatimit të dyfishtë për kompanitë investuese dhe do të ndihmojë mënjanimin e evazionit fiskal. Marrëveshja në fjalë pritet të jap efekte pozitive në rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, si dhe hapjen e mundësive për investime të kompanive kosovare në shtetin hungarez”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Financave.
Bëhet e ditur se delegacioni i Kosovës gjatë qëndrimit në Budapest, do të ketë takime me Administratën Kombëtare për Tatime dhe Dogana, me ç’rast do të fillojnë edhe negociatat për arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në çështjet doganore.