Prishtinë – “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi i filluar sot në mesditë në 13-vjetorin e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftë me forcat serbe.
Në manifestimin, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur në emër të institucioneve kosovare zv/kryeministri Hajredin Kuçi tha se “beteja e Koshares ka simbolikën e prishjes së kufirit aty ku nuk është dashur të jetë për 100 vite dhe vendosjen e kufirit me Serbinë atje ku është dashur të jetë”.
Duke përkujtuar se “sot është edhe Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, zv/kryeministri Kuçi u shpreh se “lufta e UÇK-së ka pasur për qëllim lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Në Koshare u bënë edhe homazhe për 114 heronjtë dhe dëshmorët e rënë në atë vend historik për lirinë e pavarësinë e Kosovës, si dhe u vu gurthemeli i Memorialit.
Në “Ditët e Shqipes”, pas manifestimit të sotëm të Ditës së Luftës së Koshares – heqjes me luftë të kufirit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, pasojnë Dita e rënies së Heroit të Kosovës, Agim Ramadani – Dita e Dëshmorëve të Luftës së Koshares, më 11 Prill, si dhe dita e rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj – Dita e Veteranëve të Luftës së Koshares, më 19 prill.