Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 16:20

Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e fillimit të lëshimit të pasaportave biometrike. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se me fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike është plotësuar një ndër kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave.

“Pas një pune të palodhshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të prodhuesit të kontraktuar nga Austria, në ditën e fundit të tetorit po e përmbushim një premtim që e kemi dhënë më parë se procedimi i pasaportave biometrike do të fillojë në tetor dhe sot ka ardhur ajo ditë. Pra, është një ndër kushtet e rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave”, tha ministri Rexhepi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se fillimi i lëshimit të pasaportave  biometrike është shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizim të vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

“Siç kremi premtuar dhe premtimi ynë po realizohet që deri në fund të tetorit do të lëshojë pasaportat e para biometrike. Me lëshimin e pasaportës së parë biometrike po e përmbushim një parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Kosovës me ata të Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se me lëshimin e pasaportave biometrike po avancohet procesi i liberalizimit të vizave, ku deri më tani është arritur një progres substancial në proces si në fushën e riatdhesimit dhe ri-integrimit dhe menaxhimit të integruar të kufijve.
Ndërsa ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, vend ku janë duke u prodhuar pasaportat biometrike, tha se me këtë rast ka përfunduar një punë e madhe, delikate dhe sfiduese që është bërë në mes partnerëve të shkëlqyeshëm, Kosovës dhe Austrisë, në një periudhë shumë të shkurtër.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë fazë dhe unë uroj popullin e Kosovës për këtë hap të rëndësishëm i cili është theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën, që ka qenë shumë pozitiv në shumë fusha dhe është e theksuar qartazi se shumë punë janë bërë.
Ky është një hap tjetër në këtë rrugë”, tha ambasadori Johann Brieger.
Qytetarët e parë të Republikës së Kosovës të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike janë: Fatos Bajçinovci, Zymrije Grajçevci dhe Ender Alija.