Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 14:51

Për anëtarët e komisionit parlamentar për mbikqyrjen e FSK-së, është shumë i rëndësishëm sqarimi i e-mailave të shkëmbyer ndërmjet zëvendëskryeministrit të FSK-së, Slavisa Filipovic dhe disa zyrtarëve të supozuar në Begorad. Kështu, ditë më parë, anëtarët e Komisionit parlamentar kanë miratuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të FSK-së, Agim Çeku, për të sqaruar përfundimisht rastin e përfolur të shkëmbimit të e-mailave. Ata theksuan se është e nevojshme që të sqarohet nëse informacionet në këto e-maila kanë prekur interest e vendit.

Zëvendës kryeministri Filipovic, gjatë komentimit të thirrjes së Komisionit parlamentar për ndërmarrjen e masave në këtë rast, ka thënë se ministri Çeku ka qenë në rrjedhë të kësaj çështje.

“Ministri e di se unë nuk i kam shkruar e-mailat e përfolur. Ai e ka vlerësuar çështje që nuk ka të bëjë me informacion të klasifikuar. Raportet tona kolegiale dhe të punës janë shumë korrekte”, ka thënë Filipovic, për Telegrafin.

Zv/ministri Filipovic ka deklaruar se nuk ka informacion nëse ministri Çeku e ka informuar kryeministrin Hashim Thaçi për këto çështje.

Zëvendësministri i FSK-së, Slavisa Filipovic, ka mohuar edhe një herë se ka bërë ndonjë vepër jo të ligjshme.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk i kam shkruar askujt e-mail që flet për informacionin e dhënë për FSK-në. Si zëvendësministër, unë jam i vetëdijshëm se sa do të dëmtonte kredibilitetin tim, për më tepër një gjë të tillë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë që të dëmtojë institucionin ku punoj”, ka thënë Filipovic.