Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 09:49

Policia e ka të vështirë të hyjë në Lazarat, madje nuk ndalon dot as furgonët me punëtorë që shkojnë dhe punojnë për korrjen dhe përpunimin e hashashit. Emisioni “Fiks Fare” solli historinë e një nënë nga fshati Gramsh i Lushnjës, Ruzhdie Dalipit, e cila pas lirimit nga burgu kërkon prej dy vjetësh të rimarrë kujdestarinë e vajzës së saj 17- vjeçare, e cila sipas saj, shfrytëzohet nga ish-kunata për të punuar në Lazarat.

 

 

E zhgënjyer nga punonjësit e policisë, të cilët e sorollatin dyerve të komisariateve të Lushnjës dhe Gjirokastrës, Ruzhdia vendosi t’i drejtohej emisionit “Fiks Fare”. Bashkë me gazetarët e “Fiks Farë”, Ruzhdia gjeti të bijën 17- vjeçare, e cila banonte në një çadër plastmasi në lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër. Banorët e lagjes “Zinxhira” tregojnë se vajza 17- vjeçare dhe halla e saj punojnë në përpunimin e hashashit në Lazarat, atje ku punojnë pothuajse të gjithë banorët e kësaj lagjeje dhe banorët e fshatrave përreth Lazaratit.

 

Ndërsa paga ditore e punëtorëve që janë të punësuar në Lazarat shkon nga 1000- 2000 lekë në ditë.

Pagesa bëhet çdo ditë në fund të ditës së punës. Nisja e punëtorëve për në Lazarat bëhet në mënyrë të organizuar me furgone, të cilët çdo ditë bëjnë linjën Gjirokastër- Lazarat, pavarësisht postblloqeve të ngritura nga policia.

 

 

Pamjet e sjella nga “Fiks Fare” tregojnë se furgonat për në Lazarat nuk qëndrojnë më në qytet, por kanë ndërruar destinacion duke ndaluar në stacione të ndryshme që fillojnë që nga Ura e Lumit e deri në dalje të lagjes “Zinxhira”. Pasi ka gjetur vendin ku jetonte dhe punonte e bija, Ruzhdia i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku edhe ka kontaktuar me oficerin e rojës, i cili gjatë bisedës me të është shprehur se policia nuk mund të ndërhyjë në Lazarat. Punonjësi i policisë pranon se policia ka dijeni që në Lazarat punojnë çdo ditë pesë mijë punëtorë. Pas insistimit të nënës për të mos u shfrytëzuar më e bija si punëtore e hashashit në Lazarat, ajo mundi të takojë një inspektor krimesh, i cili është vënë në lëvizje, duke kërkuar patrullën e policisë dhe një inspektor rendi në Gjirokastër rreth orës 18.00 që të bëjnë të mundur shoqërimin e hallës së vajzës dhe të 17- vjeçares në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

 

 

Por edhe këtë radhë ka qenë e pamundur shoqërimi i tyre, pasi patrulla e policisë dhe inspektori i rendit kanë ardhur në komisarit rreth orës 20.15 dhe sipas tyre ligji i ndalon ata të ndërhyjnë në banesën ku jetonte vajza e Ruzhdies së bashku me hallën. Inspektori i rendit i ka kërkuar Ruzhdies që të nesërmen në mëngjes të paraqitet sërish në polici për të bërë denoncimin. Në këtë sorollatje nëpër sportelet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, një tjetër inspektor i rekomandon nënës që t’i drejtohet policisë së Lushnjës, ku ajo banon, për të kryer denoncimin për shpalljen në kërkim të vajzës së saj.

 

Në bisedë me dy punonjës së tjerë të policisë, Ruzhdies i bëhet e ditur disa herë se policia është në dijeni të faktit që në Lazarat punojnë mijëra punëtorë që shkojnë çdo ditë me furgona, por ata ndihen të pafuqishëm për të ndërhyrë.

 

 

Nëna këmbëngul që të ndërhyhet dhe të mos shfrytëzohet më vajza e saj, pasi ajo është vetëm 17 vjeç.

 

Por edhe pse është bërë i mundur një ballafaqim mes vajzës, hallës dhe Ruzhdies, policia e Gjirokastrës nuk ka ndaluar hallën që shfrytëzon mbesën për punë në Lazarat, pasi gjatë ballafaqimit vajza nuk ka pranuar se punonte për hashash në Lazarat, por tregon se ka shitur rroba të përdorur në këtë fshat.

 

 

Ndërkohë që gazetarët e “Fiks Fare” kanë dokumentuar me pamje filmike daljen e vajzës në rrugë për t’u ngjitur më pas në një kamionçinë së bashku me hallën dhe nisjen e saj për në Lazarat, si dhe kthimin e saj tek çadrat ku banonte.