Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 12:14

Fier – Një 23-vjeçar afgan, që kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri nëpërmjet Greqisë, u ndalua nga policia, pasi u gjet në një banesë të vjedhur, por ai nuk ishte i implikuar në këtë ngjarje.

Burime zyrtare të policisë thanë se “Hasan Golan Nuri, 23 vjeç, banues në Kabul, me profesion bojaxhi, ishte strehuar në banesën e vjedhur të Artan Cuko, nga 18-vjeçari Edison Xhafa”.

Sipas burimeve, nga sqarimet e mëtejshme u mësua se Nuri ka hyrë ilegalisht në kufirin shqiptar për arsye pune dhe nuk ishte i implikuar në këtë ngjarje.

Të njëjtat burime thanë se “ai ka ardhur në Shqipëri nga qyteti grek i Igumenicës, ndërkohë nuk iu gjend asnjë lloj dokumenti identifikimi.

Mësohet se policia ka njoftuar Drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit Vlorë dhe ka bërë dorëzimin e tij pranë specialistëve të migracionit.