Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 17:52

Fier – Banorët e fshatit Ndërmenas të rrethit të Fierit protestuan të martën para zyrave të CEZ-it, pasi prej 2 javësh kanë mungesë të energjisë elektrike.

Protesta e ditës së sotme pason atë të dy ditëve më parë, ku përfaqësues të këtij fshati hynë forcërisht në zyrat e CEZ-it dhe kërkuan furnizimin e menjëhershëm me energji elektrike. Ata e pushuan protestën pas premtimeve të CEZ se do t’u lidhej energjia elektrike.

“Jemi pagues të rregullt të energjisë elektrike dhe nuk kemi përse të vuajmë penalizimin kolektiv.Ne kemi një kontratë të rregullt me CEZ-in, e cila fatkeqësisht zbatohet në mënyrë të njëanshme,vetëm nga ne konsumatorët”, tha Y.Saliaj, njëri prej banorëve të fshatit Ndërmenas.

CEZ pretendon se rreth 90 % e familjeve që nuk kanë energji elektrike nuk e kanë paguar atë. Gjthsesi ata kanë premtuar se do të bëjnë lidhjen e energjisë.

Rreth 15 ditë më parë në këtë fshat u vodh një trasformator, ndërsa 2-3 ditë më vonë një sasi kablli. Cez nuk mori masa për zvëndësimin e tyre dhe i ka lënë pa energji 106 familje të këtij fshati, që furnizoheshin me energji elektrike nga kjo linjë.