Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 11:03

Fier – Dy zjarre të fuqishme janë shënuar të dielën në mëngjes, në territorin e rrethit të Fierit.

Rreth orës 09.30 flakët kanë përfshirë kodrat e fshatit Shtyllas, rreth 9 km në jug – përëndim të Fierit dhe pak minuta më pas masivin e pishave të bregdetit të Semanit.

Forcat e sektorit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri pranë prefekturës së Fierit, që kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë mundur të vënë nën kontroll flakët në pyllin e Semanit, ndërsa vazhdon operacioni në kodrat e fshatit Shtyllas, ku sipërfaqja e vatrave të zjarrit është shumë e gjerë.

Nga të dhënat e para mësohet se sipërfaqja e përfshirë nga flakët në kodrat e Shtyllasit, që janë të mbuluara nga shkurre, por edhe të kultivuara me ullinj dhe vreshta është rreth 3 ha, ndërsa sipërfaqa e prekur nga flakët në pishat e Semanit shkon në rreth 8 dynym.

Përsa i takon shkaqeve ende nuk ka të dhëna nga grupet e eksperteve, që po hetojnë për këto raste.