Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 15:40

Fier – Kultivimi i arrorëve në Fier ka nisur prej shumë e shumë vitesh. “Pothuajse në të gjitha fermat fierake e veçanërisht në Mallakastër, do të gjesh të kultivuara  arrat, shegët, lajthitë, bajamet”, thotë përgjegjësi i sektorit këshillimor pranë DRBUMK Fier, Ethem Bitaj.”Vetë natyra me territorin dhe kushtet ideale që i ka dhuruar kësaj zone ka “firmosur dekretin” për privilegjimin e arroreve”, shton ai.

Sipas Bitaj, “Vjosa me luginën e saj nga më të mirat, lugina e Shkumbinit e Semanit, duke përfshirë këtu edhe lumin e vogël të Gjanicës, si dhe kodrat e Mallakastrës, përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha bujqësore të vendit në rrafshin historik dhe për të ardhmen.

 Shembulli më i mirë, modeli më i qartë i interesit të fermerëve për arroret është masivi i lajthive të Visokës. Ai shtrihet në territorin e administruar nga fshatrat Visokë e Patos, në luginën e kornizuar nga bregu i lumit Gjanicë dhe arteria rrugore nacionale Fier-Ballsh. Ky bllok lajthish, me një sipërfaqe rreth 30 ha, u krijua rreth vitit 1920 dhe përbën masivin më të madh në vënd dhe ndër të paktët në rajon, të kultivuar me lajthi.

“Ky blloku unikal në Shqipëri dhe ndër më të shquarit në rajon, është një nga bazat prodhuese kryesore të lajthisë për tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, tha Bitaj. “Madje, ai përbënë një nga bazat gjenetike të vendit, pasi varieteti i Visokës është unikal dhe më cilësori në Ballkan”, shton ai. Edhe pse mosha e bllokut të lajthive të Visokës i ka kaluar 90 vjet, ai ruan freskinë e prodhimit duke vazhduar të jetë furnizuesi kryesor i tregut me prodhim dhe kultivarë për blloqet e rinj.

Një nga pronarët e këtij masivi, Pëllumb Saliaj, prezanton avantazhet e kësaj kulture kundrejt drufrutorëve të tjerë dhe leverdinë ekonomike. Sipas tij, ka kosto më të ulët dhe fitim më të madh. Në 1 ha me lajthi merret një fitim financiar në vlerën rreth 1.6 milionë lekë. “Jam i kënaqur me kultivimin e lajthive, pasi është një kulturë që ta kthen borxhin e shërbimeve. Marr mesatarisht rreth 4 kg për rrënjë, pra 40 kv për ha. Blloku përtërihet vete, pasi si bimë shkurrore lëshon lastar të rinj nga e njëjta rrënjë”, shprehet Saliaj. Sipas tij, njëherë në çdo 7 vjet bllokut i bëhet krasitje e thelle për ta përtërirë dhe dhënë kurorën e duhur.

“Shpresoj që problemet e marketingut dhe tregtimit do të vijojnë linjën e prioritetit që i ka dhënë kohët e fundit qeveria dhe kryeministri Berisha kultivimit të tyre”, tha Saliaj, pasi sipas tij, deri tani kjo qenë individuale dhe e pa organizuar.