Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 11:19

Fier – Punimet në autostradën Levan-Tepelenë, një nga arteriet e rëndësishme rrugore që lidhin Jugun me pjesët e tjera të vendit po ecin me ritme të shpejta dhe në muajin qershor do të vihet në punë aksi më i vështirë i saj, Levan-Fratar.

N/drejtori i firmës zbatuese “EDIL 4 Construction & Todin”, Sokol Demiri thotë se, ndonëse afati i përfundimit të projektit është në mes të vitit 2012, ritmet e punimeve parashikojnë përfundimin para afatit kontratual, ndërsa pjesa më e vështirë e saj, do të vihet në shfrytëzim brenda muajit qeshor.

“Brenda muajit qeshor do të përfundojë segmenti Levan-Fratar, rreth 26 km i gjatë, që konsiderohet pjesa më e rëndësishme e kësaj arterie rrugore”, tha Demiri.

Sipas tij, ky aks krijon avantazh të madh për emigrantët e shumtë dhe drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt jugut, pasi eleminohen kthesat e Ballshit dhe Fratarit. “Hapja e këtij segmenti shkurton ndjeshëm distancën dhe përmirëson trafikun rrugor”, tha Demiri.

Për ndërtimin e këtij segmenti janë gërrmuar më shumë se 2 milionë m3 dhe e shkëmb, ndërsa puna vijon me përfundimin e veprave të artit dhe veshjen me asfalto-beton.

Vlera e krejt projektit, një investim i BEI-t dhe BERZH-it arrin rreth 36 milionë euro. Sipas Demirit, rruga do të jetë me të gjitha standartet perëndimore.