Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 10:32

Tiranë-Respektimi i lirive civile dhe të drejtave politike në Shqipëri vazhdon të lërë shumë për të dëshiruar. Në raportin e këtij viti të Freedom House, grupit pro demokracisë me seli në SHBA, Shqipëria ka pësuar rënie.

Shkak për këtë ishte vrasja e katër protestuesve në protestat e 21 janarit, dhe paanshmëria në gjykimin ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Por edhe procesi elektoral me të meta i zgjedhjeve të majit ka ndikuar negativisht në gjykimin e Shqipërisë.

“Shqipëria ka pësuar rënie për shkak të vrasjes së protestuesve të opozitës në janar, politizimit të mekanizmave elektoral gjatë zgjedhjeve lokale të majit dhe dështimi i gjykatave për të gjykuar me paanshmëri një çështje korrupsioni kundër një politikani të lartë të qeverisë”-thuhet në raport.

Kështi Shqipëria vazhdon të renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, pra një vend ku respektimi i të drejtave politike dhe lirive civile janë të limituara.

Vendet pjesërisht të lira, ku futet edhe Shqipëria vuajnë nga një mjedi korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe një atmosferë politike ku dominon një parti e vetme pavarësisht shkallës së pluralizmit që mund të ketë vendi.

Edhe sa i përket lirisë së medias, Shqipëria ka pësuar rënie duke marrë notën 51 dhe duke u renditur në vendin e 107-të, 5 vende më poshtë se renditja e vitit te kaluar. Madje Shqipëria renditet edhe poshtë Kosovës, e cila këtë vit ka shënuar një ngjitje me dy pikë.

Kështu Shqipëria, sa i përket lirisë së medias renditet poshtë vendeve si Nigeria, Sierea Leone, Tanzania, Haiti dhe Nikaragua. Shqipëria renditet poshtë vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia, e cila vlerësohet me noten 54, ndërsa në gjendje më të mirë vlerësohet liria e shtypit në Bosnjë e Hercegovine me notën 48, e edhe më lart, gjendet Mali i Zi e Serbia  të dy këto shtete kanë marrë notën 35. (LajmeShqip.com)