Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 13:53

Tiranë (PLOTESUAR 21 shkurt, 21:40) 24 vjeçari Aleksandër Peci, komandoja shqiptar që mbeti i plagosur rëndë një ditë më parë në Kandahar të Afganistanit është transportuar sot drejt Ramsteinit në Gjermani.

Kjo është bërë e ditur nga familjarë të 24- vjecarit. Peci iu nënshtrua një ditë më parë një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak të Kandaharit dhe gjendja shëndetësore pas operacionit paraqitej e rëndë, por e stabilizuar.

24-vjeçari ka marrë tre plage të rënda, por që nuk kanë prekur organet jetësore. Mjekët dhanë autorizim për transferimin drejt Gjermanisë, ndërkohë që autoritetet e NATO-s dhe ISAF morën masa për transportin. Autoritetet konfirmojnë gjithashtu se nëntetar Peci ka shpresa të shumta për të jetuar.

 ****************************

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një konference për mediat ka njoftuar mbi sulmin ndaj dy komandove shqiptat, ku njëri mbeti i vdekur dhe një tjetër ndodhet i shtruar në spital në Gjermani.

Në vijim të komunikimeve me publikun Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA bën me dije se:

“Gjendja shëndetësore e Nëntetar Aleksandër Peci, vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë.Pas lajmeve tronditëse për fatin e Nëntetar ALEKSANDËR PECI, lajme të cilat u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut, njoftimet e mbrëmjes së djeshme që konfirmonin se Nëntetar PECI ishte në jetë kanë lehtësuar gjendjen emocionale të familjarëve të tij, ashtu sikundër janë pritur me gëzim të madh nga Forcat e Armatosura dhe nga gjithë shqiptarët”,- theksoi Gjenerali Brigade, Viktor Berdo Komandant i Forces Tokesore.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA në interes të plotësimit të mëtejshëm të informacioneve të dhëna për publikun përmes komunikimeve të mëparshme, bëjnë me dije se:

“Më datën 20. 02. 2012 në orën 16. 30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin SHADIZI ROBAT në afërsi të Bazës Ushtarake në SPIN BOLDAK, Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti VOGLI nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit. Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar ALEKSANDËR PECIT, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij”,- nënvizoi se gjenerali.