Lajme Shqip Tuesday, 30 August 2011 08:45

Tiranë – Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot festën e Bajramit të madh apo Fiter Bajramin. Festa erdhi pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtarët agjëruan, duke iu përkushtuar më shumë adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit.

Edhe në Shqipëri besimtarët myslimanë në orët e para të ditës nëpër xhami e falën namazin e festës. Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë.

Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Në këtë festë nuk mungojnë gjithashtu argëtimet, programet artistike dhe aktivitetet e ndryshme kulturore.

Dita e Bajramit shëmbëllen në ditë paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala bajram do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e zekatit, për të varfërit dhe familjet në nevojë.

Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë barazpeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.

Komunitetin mysliman pritet e vizitojnë paraditen e sotme drejtuesit më të lartë të shtetit dhe personalitete të tjera të njohura, të cilët do të përcjellin urimet e tyre me rastin e Fiter Bajramit.

Edhe në Kosovë, Maqedoni dhe në mbarë hapësirën etnkime, komuniteti mysliman po e feston festën e Fitër Bajramit.