Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 20:00

Tiranë-Situata e rëndë përçarëse nuk ka munguar as në festimet e djeshme të 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Tiranë. Detajet nga tre ceremonitë e parashikuara me këtë rast kanë vënë në dukje krizën e madhe e me sa duket, të pashmangshme, në marrëdhëniet mes lidershipit politik.

Dy ceremonitë e para ishin ajo e vendosjes së emrit Ibrahim Rugova, një rruge në kryeqytet (ish-rruga Dëshmorët e 4 shkurtit, ndërrimi i emrit të së cilës është një problematikë më vete që ka irrituar veçanërisht shoqatat e veteranëve të luftës) dhe përurimi i zyrave të reja dhe godinës së re të Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Të dyja këto ceremoni organizoheshin nga Protokolli i Shtetit praën Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ra në sy menjëherë që në këto dy ceremoni, ku ftesat janë shpërndarë nga qeveria e Shqipërisë, mungonin kreu i shtetit Bamir Topi dhe lideri i opozitës Edi Rama.

Të pyetur rreth arsyeve të mungesës, selia rozë dhe Presidenca konfirmuan se nuk u ka shkuar asnjë ftesë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ceremonia e tretë e ditës së djeshme ka qenë ajo e organizuar nga vetë Ambasada e Kosovës. Në këtë ceremoni ishin ftuar edhe kreu i opozitës Rama edhe presidenti Topi. Por ndërsa Rama ka shkuar në këtë ceremony të tretë në Sheraton, zoti Topi, nuk ka marrë pjesë as aty.

Burime pranë stafit të tij, konfirmuan mbrëmë se në dy ceremonitë e para Presidenti nuk është ftuar, por gjithashtu ai ka qenë me gjendje gripale, i pamundur për të marrë pjesë në ceremoninë e tretë, në të cilën kishte ftesë.

Pavarësia e Kosovës ka shenjuar kështu sërish ndasitë e trishtueshme të klasës politike në Shqipëri.

Reagon ambasada e Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë duke marrë shkas nga shkrimi i gazetës “Shekulli” e cila shkruan se presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe shefi i Partisë Sociaaliste, Edi Rama nuk janë ftuar në ceremoninë e hapjes së kësaj ambasada, sqaron se Ambasada e Republikës së Kosovës në ceremonitë e organizuara prej saj ka ftuar të marrin pjesë të gjitha autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.

Më tej në këtë njoftim thuhet se përurimi i selisë së ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe pritja me rastin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës janë organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, ndërsa ceremonia e përurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” ka qenë kompetencë e Bashkisë së Tiranës.