Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 12:29

Ferizaj – Gjatë tri viteve të fundit togeri i policisë, njëherësh hetues në regjionin e Ferizajt, Reshat Hyseni i ka kaluar nëpër gjykata dhe burg, por tashmë pas hetimeve plotësuese gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Përveç dëmeve që ia shkaktoi vuajtja e burgut, që erdhi si rezultat i një procesi të motuar, tani Hyseni duhet të presë së paku edhe një kohë për t’u kthyer në punë.

Zyrtarët e KMDLNJ-së vlerësojnë se çdo qytetar që ka pasur ndonjë proces gjyqësor, pas shpalljes i pafajshëm duhet të kthehet në punë dhe t’i kompensohet dëmi, ndërsa drejtuesit e policisë thonë se janë në pritje të vendimit të gjykatës komunale dhe mandej Hyseni mund të kthehet në radhët e forcave të rendit.

Ish-togeri i policisë, që ushtronte detyrën e hetuesit në regjionin e Ferizajt ishte dënuar me 8 vjet burgim, ndërsa ka vuajtur dënimin prej 1 vit e 2 ditë, se gjoja në tetor të vitit 2007 në një ahur lopësh në fshatin Jezercë të Ferizajt kishte dhunuar një 15-vjeçare nga Shqipëria.
Pas një viti hetimesh Gjykata e shkallës së parë e shpall fajtor, duke e dërguar menjëherë në Burgun e Dubravës, por në muajin maj të vitit 2010 Gjykata Supreme e pushon aktgjykimin e shkallës së parë dhe tashmë pas hetimeve plotësuese gjykata e ka shpallur të pafajshëm.
Edhe pse tani ndjehet më rehat që është liruar nga akuzat e pabaza dhe është bërë gati për sfidat normale të jetës, Reshat Hyseni thotë se nuk ka asgjë që do të mund t’ia kompensonte vuajtjet e përjetuara.

Duke kujtuar gjithë procesin ndaj tij, ish- togeri thotë se dyshon që dikush brenda policisë ka bërë montimin e rastit në mënyrë që ta largoj nga puna e hetuesit që ishte duke zhvilluar tri vite më parë.

Ndërkohë Reshat Hyseni tani ka nisur një betejë tjetër, atë të kthimit në vendin e punës, ngase dy vjet nga suspendimi në qershorin e vitit 2010 ai ishte larguar nga puna.
“Unë e kam dorëzuar një kërkesë te drejtori i Policisë së Kosovës, ku kam përshkruar gjithë rastin tim. Tani pres që edhe gjykata të jap fjalën e saj dhe unë të kthehem në punë”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi tha se është në dijeni me rastin e ish togerit, por duhet që drejtësia, përkatësisht gjykata të thotë fjalën e saj sikurse për shpalljen të pafajshëm edhe për kthimin në punë.
Ndërkaq drejtues nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), tregojnë se shkelje të tilla të procedurave paraprake në Kosovë sikurse në rastin e Reshat Hysenit ndodhin shpesh, e për këtë gabim askush nuk merr përgjegjësinë.

Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behgjet Shala tha se nëse nuk mjafton aktgjykimi i pafajësisë për kthim në punë, atëherë më së largu duhet që të zbatohet vendimi i gjykatës lidhur me këtë çështje.
I gjithë procesi ndaj toger Reshat Hysenit dyshohet të ketë qenë i montuar, pasi ai kishte pretendime për të arritur më lart në hierarkinë e policisë. Rastet e tilla kur dënohen njerëz të pafajshëm janë të shumta në gjykatat e Kosovës. Vetëm gjatë vitit 2010 Këshilli Gjyqësor i Kosovë iu ka kompensuar paraburgimet 45 vetave, shifër kjo e cila ka arritur në rreth 150 mijë euro.