Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 15:57

Prishtinë – Adem Salihaj, që nga e diela nuk do ta drejtoi më degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj. Ai para anëtarëve të Kuvendit të degës, ka dhënë dorëheqje nga ky pozicion, duke i lëshuar vendin Muharrem Sfarçës, një veprimtari të këtij subjekti i cili prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani.

Salihaj ka thënë se këtë e ka bërë për t’i hap rrugë ndryshimeve pozitive në këtë subjekt dhe është në marrëveshje të plotë me kryesinë e degës, por edhe me kryesinë qendrore dhe kryetarin e saj, Isa Mustafa.

Sipas Salihajt, kjo po bëhet me qëllim të reformimit të partisë dhe ecjes përpara drejtë fitoreve, për çka njëjtë ka folur edhe shefi i tij, Mustafa.

Kuvendi i punës ka vendos që kryesia në të ardhmen t’i ketë 25 anëtarë, e jo 41 sa ka pasur deri më tani. Kjo ka bërë që jashtë kryesisë së LDK-së të mbetët komplet grupi i të paknaqurëve, të cilët pas zgjedhjeve të fundit për kryetar të Ferizajt dhe humbjes së zotit Salihaj, i kërkuan këtij të fundit të largohet nga partia.

Ky grup pas Kuvendit të punës, krejt këtë “muhabet” e ka quajtur si lojë të Salihajt për t’i eliminuar ata nga skena, kësaj radhe me bekimin edhe të drejtuesve të lartë të partisë.

Të 75 delegatët e këtij kuvendi me aklamacion kanë zgjedhur Sfarqën në krye të LDK-së në Ferizaj, i cili ka folur edhe për riorganizimin e degës, ndërsa ka lexuar emrat e anëtarëve të kryesisë së re të LDK-së, prej 25 vetash, 5 prej të cilëve ka thënë janë të rinj dhe do të sjellin energji të reja.

Këto ndryshime është thënë se kanë ardhur si rrjedhojë e reformave që ka filluar t’i bëjë LDK-ja.

Adem Salihaj ka thënë se ka pranuar të jetë pjesë e ndryshimeve me vetmin qëllim që LDK-ja të organizohet dhe t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

“Në këtë kontekst unë kam ofruar gatishmërinë time që të hapi rrugë në këto procese dhe në krye të degës të vie një person që është vlerësuar nga kryetari dhe kryesia se mund të jap një kontribut të ri, shtesë për të arritur një fitore të re të degës së LDK-së” ka thënë Salihaj.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Ademi nuk është në krye të degës, por puna e tij nuk përfundon këtu, pasi ai vazhdon të jetë në struktura të larta të LDK-së, duke i shprehur mirënjohje për hapin e tij që LDK-ja të ecën përpara.

“Po mundohemi të bëjmë ndryshime, duke ruajtur njerëzit tanë, duke shprehur respektin për punën që kanë bërë. Duhet të krijojmë një hapësirë të kohekzistencës së gjeneratave, veprimtarëve të LDK-së, në mënyrë që bashkërisht të bëhemi më të fortë dhe në mënyrë që t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme, sepse ky është motivi dhe synimi themelor” ka thënë Mustafa.

Të pakënaqurit të tubuar rreth, Dugagjin Hetemit pas kuvendit kanë shprehë pakënaqësitë e tyre për eliminimin e një pjese të kudrove të dëshmuar të LDK-së së Ferizajt nga strukturat relevante të partisë. Ata kanë thënë se shumë shpejtë do të dihet edhe qëndrimi zyrtar i tyre. Në këtë kuvend u mor vendim që aktivet e LDK-së të shndërrohen në nëndegë. (LajmeShqip.com)