Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 12:58

Prishtinë – Nëse dëshirojmë që t’i bindim qytetarët në veri se decentralizimi është një propozim tërheqës, atëherë mënyra më e mirë është që t’i tregojmë arritjet e decentralizimit të suksesshëm në jug të lumit Ibër, si një model tërheqës i Kosovës moderne.

Kështu është shprehur shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Fejt. Ai i bëri këto komente të mërkurën, pas takimit të Grupit Ndërministror për Decentralizimin.

Sipas Fejt, decentralizimi ka njohur përparime, pasi të gjitha komunat e përmendura në planin e Ahtisarit janë krijuar dhe drejtohen nga komuniteti përkatës shumicë, përveç asaj të Mitrovicës së Veriut.

“Ne duhet të sigurojmë transferimin e plotë të kompetencave nga qeveria qendrore në nivelet lokale dhe të sigurohemi se burime të mjaftueshme janë në dispozicion për komunat e reja. Po ashtu, duhet t’i informojmë qytetarët në veri për rëndësinë dhe përfitimet e decentralizimit si një vlerë e Evropës”, ka thënë Fejt.