Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 07:33

Prishtinë – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 22 shkurt 2011 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë që ta respektojnëkëtë Aktgjykim. Është e qënësishme për funksionimin e duhur të një demokracie, që institucionet e saj t’i nënshtrohen sundimit të ligjit. Unë vërej se Gjykata u ka tërhequr vëmendjen e posaçme ndaj detyrës të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur që të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit, si pasqyrim i obligimit të tyre ndaj njerëzve që i kanë zgjedhur ata”, citohet Feith në një komunikatë nga zyra e tij.

“Vazhdoj të besoj se mënyra më e mirë për t’u shërbyer interesave të Kosovës dhe popullit të saj është përmes komunikimit pozitiv në mes të partive dhe mes udhëheqësve të partive”, thekson Feith.