Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 21:00

Prishtinë- Në një deklaratë nga Zyra Ndërkombëtare Civile, Pieter Feith, lidhur me rezolutën e kuvendit për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, thuhet se “në takimin e tij në Vjenë më 24 janar, Grupi Drejtues Ndërkombëtar e ka miratuar një proces të qartë për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë, në përputhje me kushtet e Planit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS) të Presidentit Ahtisaari. Në Vjenë, Kryeministri është zotuar për zbatimin e PGJS-së dhe përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur”.

“Me një shumicë dërmuese, Kuvendi sot e miratoi një rezolutë që ndihmon në përcaktimin e hapave të mëtejmë që janë para nesh për të arritur këtë synim kombëtar. Unë e mirëpres gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha partive parlamentare për të filluar shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese si dhe të amendamenteve të legjislacionit primar relevant të nevojshëm për përfundimin e mandatit tim dhe për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur”, thekson Feith në këtë deklaratë.

Unë po ashtu, thekson ai, mbetem i gatshëm që ta ndihmoj Qeverinë në punën e saj, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e Kuvendit, për të siguruar zbatimin e plotë të PGJS-së, në mënyrë që kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar të takohet më vonë gjatë këtij viti të jetë në gjendje ta bëjë konstatimin që na mundëson finalizimin e procesit.

“Pajtohem plotësisht me thirrjen që bëhet në rezolutë për unitet në mesin e popullit, forcave politike dhe udhëheqësve të tyre në ecjen përpara. Besoj se kjo duhet zbatuar në të dy drejtimet – në zbatimin e plotë të PGJS-së dhe në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Nëse konsensusi kombëtar ruhet gjatë gjithë kësaj kohe, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për qëndrueshmërinë e reformave dhe zbatimin e tyre, dhe rrjedhimisht do ta forconte reputacionin dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet modern evropian”, vlerëson Feith. (LajmeShqip.com)