Lajme Shqip Wednesday, 05 September 2012 10:45

Prishtinë – Në prag të përfundimit të mandatit të tij në krye të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith ka vlerësuar se Kosovës nuk i duhen administratorë ndërkombëtarë, por politikanë vendorë më të përgjegjshëm, që qeverisjen e bazojnë mbi standardet e etikës.

Përfaqësuesi civil ndërkombëtar që gjatë katër viteve e gjysmë ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Ahtisaarit ka shprehur bindjen se në këtë drejtim bashkësia ndërkombëtare mund ta mbështesë Kosovën, por jo edhe të marrë përsipër rolin që duhet të luajë lidershipi kosovar.

“Politikanët duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi, për shkak se marrin besimin nga votuesit. Ata duhet të kenë përgjegjësi për ruajtjen e standardeve të veprimit të pastër dhe moralisht të pranueshëm. Kjo është diçka në të cilën bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë, por nuk mund të marrë përsipër angazhimin. Nuk mund t’i zëvendësojmë liderët vendorë politik”, ka thënë shefi i ICO-së, Pieter Feith.

Ai ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar ka bërë mjaft për të promovuar standardet e qeverisjes së mirë, dhe se “nuk mund të bëj më shumë se kaq”.

Sipas tij, përgjegjësia për gjendjen aktuale në Kosovë nuk duhet t’i vishet vetëm bashkësisë ndërkombëtare. “Duhet përmirësuar një numër gjërash në shoqëri, vlerat, parimet, qëndrimet dhe standardet etike të qeverisjes… Duhet lidership më i përgjegjshëm”, ka shtuar diplomati holandez.

Si arritje pozitive ai ka përmendur konsolidimin e institucioneve, forcimin e kornizës ligjore dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës, mbrojtjen e komuniteteve, pastaj decentralizimin, që ka fuqizuar qeverisjen lokale dhe komunitetin serb.

Ai ka pohuar se kundërshtimi dhe sfidimi i pavarësisë nga Serbia ka penguar një mori procesesh dhe ia ka vështirësuar Qeverisë së Kosovës që të koncentrohet në reformat e brendshme. Marrë në përgjithësi, Feith është shprehur i kënaqur me arritjet e Kosovës dhe zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Feith ka pranuar si dëshpëruese faktin që nuk është arritur më shumë përparim në veri, ndërkohë që si dëshpërim tjetër ka përmendur mos përmirësimin e situatës socio-ekonomike në nivel vendi.(K.D)