Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 09:30

Tiranë – Ish kryetari i PS-së, Fatos Nano deklaron dëshirën e tij për t’u zgjedhur President i ardhshëm i Shqipërisë duke theksuar se po kërkon partnerë nga të dyja krahët politikë.

Në një intervistë për Top Channel nga Londra, ku ndodhet me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës për të folur për Shqipërinë, Nano e cilëson të domosdoshme që “të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyc të rrugës së saj drejt Evropës së Bashkuar, kur edhe Evropa ka problemet e saj”.

I pyetur se nëse tërheqja e tij kohë e fundit nga politika aktive është thjesht një parapërgatitje për ndoshta një hap tjetër më të madh, ish lideri historik i së majtës e argumenton me faktin që “është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare.

Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen, të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics, LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet dhe  të bëhet tërheqëse”.

Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse është i vendosur të kandidojë për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Fatos Nano shprehet se “unë dhe oferta që ju e shprehet, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen evropiane, për të bërë të kundërtën  e asaj që ka ndodhur për fat të keq, dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Evropian, nisen të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë, për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë”.

Nano deklaroi se “jam shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”.

Ndërsa i pyetur se kush ka më shumë faje për mos marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, ish kreu i PS-së thotë se “jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët, nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit”.

Sipas tij, ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ.”Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë, dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Evropë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë, në mjedisin e ngarkuar më shumë probleme që edhe ka edhe Bashkimi Evropian sot”, nënvizon Nano.

I pyetur për marrëdhëniet e tij me PS-në e veçanërisht me Edi Ramën, Nano thotë se “nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi  shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisjen me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese, që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare”.

Ai shpreh besimin se “është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit”.