Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 14:52

I vëllai i tre Bytyçëve të vrarë nga serbët më 1999 në Petrovo Sello (Serbi), Fatos Bytyçi, deklaroi se familja e tij insiston që dëshmitë e hetimeve mbi krimin e kryer ndaj vëllezërve të tij ti dorëzohen Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), shkruan sot “Danas” e Beogradit.

“Insistojmë që çdo hap i bërë ose dëshmi t’i dorëzohet menjëherë FBI-së, në vend se të publikohen përmes medieve ose politikanëve”, citon Koha.net deklaratën e Fatos Bytyçit, dhën “Danasit”.

Ai ka theksuar se nuk e din se për çfarë dëshmish bëhet fjalë, porse zbulimi i tyre 16 vjet pas vrasjes hap çështjen se kush dhe pse i fshehu deri tash.

“Autoritetet serbe kanë pritur muaj të tërë për t’i ndarë me FBI-në faktet që kanë. Për këtë arsye insistojmë që cilatdo dëshmi të reja ose hapa përpara t’i bëhen të ditura plotësisht dhe drejtpërdrejtë FBI-së”, ka thënë Bytyçi.

“Shumë nga dëshmitarët nuk kanë besim në organet shtetërore. Ka pasur shumë rrjedhje informatash, kërcënime dhe frikësime që kanë dekurajuar dëshmitarët. Mesazhi ynë për dëshmitarët është se nëse u besoni organeve shtetërore tani është momenti të tregoheni. Nëse nuk keni besim në autoritetet shtetërore, na kontaktoni neve”, citon gazeta Fatos Bytyçin.

I pyetur rreth kredibilitetit të prokurorit për krime lufte, Vlladimir Vekariqit, Bytyçi ka shtruar pyetjen: “Çfarë ka bërë ai (Vukçeviqi) në këto dhjetë vjetët e fundit në krye të kësaj zyre” dhe pse do ta merrte tani përgjegjësinë, kur ndodhet në fund për ta lënë këtë funksion.

Për hetimet rreth rastit të vëllezërve “Bytyçi”, gazeta “Nashe novine” thekson se janë zbuluar tre pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), të cilët i kanë vrarë ata.

Sipas kësaj gazete, e cila thirret në burime në Prokurorinë për krime lufte, aktakuza nuk përfshin komandantin e Zhandarmërisë, Goran Radosavleviqin – Gurin, i cili ishte apostrofuar më herët si një nga të dyshuarit, meqë munguakan dëshmitë.

Vëllezërit Agron, Ilir dhe Mehmet Bytyçi kanë qenë shtetas të ASHBA, që është arsyeja pse ky vend insiston në zbardhjen e rastit të vrasjes së tyre, ndërsa FBI po bën hetime të pavarura në këtë rast tash 11 vjet.