Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 18:31

Prishtinë (E PLOTËSUAR, 24 gusht, 14:51 h)– Senaca ndaj Nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj, e nisur në orën 10:00, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nuk ka përfunduar ende, duke bërë që akoma të jetë e pakonfirmuar aktakuza ndaj tij dhe nëntë ish-ushtarë të tjerë të UÇK-së, të akuzuar në Rastin Kleçka.

Maurizio Salustro, prokuror i rastit, ka ofruar argumentet e tij ndaj vërejtjeve të avokatëve se ende nuk posedojnë asgjë nga dosja e këtij rasti.

Ndërkohë, avokatët i kanë tashmë të deponuara dy deklarata të dëshmitarëve, Agim Çeku dhe Bislim Zyrapi, të intervistuar pas ngritjes së aktakuzës për rastin, më 25 korrik.

Seanca pritet të vazhdojë pasdite.

*******************************

Prishtinë (E PLOTËSUAR, 24 gusht, 10:02 h) – Sikurse ka paralajmëruar edhe dje portali LajmeShqip.com, sot deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, është paraqitur në gjykatë.

Deputeti Limaj, i shoqëruar nga avokati Tomë Gashi, sapo është paraqitur në gjykatë, në Prishtinë. Atë e kanë shoqëruar edhe djali i tij, Durimi dhe shefi i kabinetit të tij, Endrit Shala.

Limaj dukej i buzëqeshur dhe i relaksuar.

*******************************

Prishtinë – Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj do të detyrohet të mërkurën që të mos merret me punët për të cilat është zgjedhur si deputet, por të ulet në bankën e të akuzuarve.

Burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se Limaj pritet që, të mërkurën, duke filluar nga ora 10:00, të paraqitet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës në seancën e konfirmimit të aktakuzës “për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës”, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, “Çelikut”, është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht.

Gjatë këtyre seancave, mbrojtja pritet të kërkojë nga gjyqtari që të mos e konfirmojë aktakuzën, ndërsa prokurori Maorizio Salustro do të kërkojë që të konfirmohet ajo. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, gjykimi kundër 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të fillojë në vjeshtë, dhe pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.

Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi që prokurori italian e ka ngritur aktakuzën. Çeliku, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas Prokurorisë, janë kryer në Kleçkë. Bashkë me Limajn në gjykatë pritet të paraqiten edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt.

Po sipas burimeve të portalit, nëse kjo aktakuzë merr “vizën” për gjykim, gjatë gjykimit Limaj pritet që për dëshmitarë t’i ftojë të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Fatmir Limaj akuzohet për dhënie të urdhrit dhe pjesëmarrje në torturimin mizor të civilëve shqiptarë e serbë, të paraburgosur në Kleçkë.

Imuniteti i deputetit nuk ndalon që ta thërrasë Limajn në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron nga arrestimi. Në shtator, ndërkaq, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i sqarojë dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Kushtetuesja pritet t’i përgjigjet kërkesës së Qeverisë së Kosovës për sqarimin e imunitetit.

Çështja e imunitetit është debatuar muajin e kaluar, pas vendimit të kryekuvendarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili refuzoi të nxirrte një rezolutë me anë të së cilës do ta detyronte Qeverinë të kërkonte interpretime nga Gjykata Kushtetuese për imunitetin.

Portali LajmeShqip.com kishte raportuar më parë për çështjen e imunitetit dhe e kishte botuar ekskluzivisht dokumentin e aktakuzës ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka. Dokumentin mund ta lexoni këtu.

Po për krime lufte në Hagë për të dytën herë po gjykohet një ish-komandant tjetër. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, edhe pse ishte shpallur i pafajshëm për krimet e luftës, po gjykohet sërish, gjë që përbën precedent.

Të gjitha ligjet, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, ndalojnë gjykimin e një personi dy herë për të njëjtën vepër penale. Mirëpo, në rastin e Haradinajt dhe të tjerëve, Gjykata është arsyetuar se nuk janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe dëshmitarin Shefqet Kabashi. Por, ky dëshmitar po refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorit. Në ditën e dytë, Kabashi ka thënë se dëshmia e tij e dhënë gjatë hetimeve, kanë qenë e modifikuar
dhe se nuk i kujtohet asgjë nga ajo. (LajmeShqip.com)