Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 16:34

Prishtinë – Duke iu referuar publikimeve më të fundit ekskluzive të portalit LajmeShqip.com, e përditshmja më e madhe kosovare, Koha Ditore, në artikullin e sotëm “Ushtari i UÇK-së, ‘spiunon’ UÇK-në”, shkruan se Dick Marty mund ta ketë shfrytëzuar dëshminë e Fahredin Gashit për ta hartuar raportin e tij me të cilin e implikon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kidnapimin dhe dërgimin e civilëve në Shqipëri.

Gazeta e ka marrë prononcimin telefonik të Nazim Bllacës, ku ai mohon ta ketë poseduar një CD të tillë. “Këtë video sot e kam dëgjuar për herë të parë”, ka thënë Bllaca, duke deklaruar se po ta posedonte, ai do ta publikonte qysh me herët. Megjithatë, Bllaca ka thënë se ka qenë në dijeni të këtij videoinçizimi dhe se me kohë e ka ditur dhe ka deklaruar se Fahredin Gashi ka bashkëpunuar me Hagën, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Duket se dikush është i interesuar që kohë pas kohe të publikojë nga një CD që opinion kosovar të merret me to, sepse janë shumë popullore të dihet se kush ka qenë spiun i Serbisë e kush patriot dhe të mos merremi me tema jetike të Kosovës e që janë veriu dhe me epilogun se çka kemi fituar dhe çka do të humbim në të ardhmen me bisedimet me Serbinë”, ka thënë shkurt për Kohën Ditore avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, duke dashur ta minimozojë rëndësinë e zhvillimeve të kaluara, brenda dhe rreth UÇK-së, të cilat i ka publikuar Portali LajmeShqip.com dhe që kanë shumë rëndësi, mbase edhe për veriun dhe për të gjitha këto që po ndodhin sot në Kosovë e me Kosovën.

Ndërkaq, Kolë Krasniqi, avokat i Fahredin Gashit, në Rastin “Bllaca”, i ka deklaruar gazetës se ka qenë tejet i befasuar me publikimin e kësaj videoje. Sipas tij, edhe gjatë procesit gjyqësor, Fahredin Gashi “ka deklaruar se ka dhënë një intervistë për hetuesit e Hagës” dhe se “nuk e mohon këtë”, ndërkohë që, po sipas avokatit, aty “nuk ka pasur asgjë negative as për UÇK-në e as për vendin, por shpjegon një rrethanë e cila është në interes publik”.

Nazim Bllaca i ka thënë gazetës se e din se kjo video është diskutuar midis tij, Shpresim Ukës, Qazim Shabanit e Hysri Raës, më 13 tetor të vitit 2009.

“Faruk Gashi ka thënë te Baton Haxhiu (në një emision në Klan Kosova, vër. LSH) se ‘kam operuar në Dukagjin’. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ai e ka bërë këtë vetëm për ta inkriminuar Ramush Haradinajn”, ka përfunduar Nazim Bllaca në deklarimin e tij për Kohën Ditore, duke i komentuar tri videoinçizimet eksklzuzive të Portalit LajmeShqip.com.

Portali LajmeShqip.com në dy ditët e kaluara ka publikuar tri videoregjistrime, në të cilat Fahredin Gashi – Faruku dëshmon për hetues të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, me pretendimin se UÇK ka kryer krime në Kosovë, e ku potencon për veten se ka qenë bashkëpunëtor i hershëm i policisë serbe në Shtime.

Artikullin e plotë të së përditshmes kosovare mund ta lexoni në këtë adresë: http://koha.net/?page=1,13,61776