Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 09:38

Tiranë-Shpresojmë që Aleksandri të jetojë, janë këto fjalët e Nikoll Peçit, xhaxhait të Aleksandër Pecit, komandos, i cili ka mbetur i plagosur rëndë sot në një sulm në Afganistan.

Sikurse informoi ministria e Mbrojtjes, nëntetar Aleksander Peçi, aktualisht ndodhet në spital në gjendje kome dhe ende ka shpresë për përmirësim.  

Fillimisht,  23 vjeçari Peçi u raportua se kishte humbur jetën, por informacioni nuk ishte i saktë.

Xhaxhai i Aleksandrit,  Nikoll Peçi, në një deklarate në media rrëfen momentin e tronditjes së familjes, kur morën lajmin e hidhur. Sikurse u shpreh ai, fillimisht ata morën lajmin që Aleksandri ishte plagosur, më pas që kishte  vdekur dhe së fundmi se ai  ndodhej në gjendje kome ne spital.

“Morëm një lajm shumë të hidhur, pësuam një tronditje të pazakontë, kur na thanë se ka vdekur. Por,  dy orë më pas na informuan që ai nuk ka vdekur. Shpresojmë që të ketë kismetin të jetojë”, tha familjari i komandos Aleksander Peçi.  

Nëntetar Aleksandër Jak Peci, ka lindur me 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr. 1001.

Ai është një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij. Nga data 16.01.2012, nëntetar Peci u dërgua me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan. (LajmeShqip.com)