Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 10:28

Dhjetë muaj pas vrasjes së të afërmve të tyre, familjarët e viktimave të 21 janarit kanë kërkuar nga prokuroria të mësojnë se si po ecën hetimi.

Përmes avokatëve të tyre, vëllezërit e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, i kanë dërguar një letër prokurorisë për të marrë informacion për dosjen hetimore.

Në letër ata thonë se kanë të drejtë të kërkojnë një gjykim të drejtë dhe ezaurues. Letra e publikuar nga Shqip përmban edhe të tjera shpjegime pse prokuroria duhet t’ua vërë dosjen në dispozicion.

Por organi i akuzës është përgjigjur se në këtë fazë nuk mund të japë informacione për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Ndërkohë prokuroria thotë se mund tua vërë dosjen në dispozicion më vonë, gjithmonë përpara mbylljes së hetimit.

Burime nga prokuroria kanë deklaruar se hetimi po zvarritet për shkak të mosbashkëpunimit mes organit të akuzës dhe disa institucioneve në varësi të ekzekutivit.  Prokuroria shton se vendimmarrja për këtë dosje do bëhet përpara 21 janarit 2012.