Lajme Shqip Friday, 26 October 2012 16:06

TIRANË- Shoqata e Familjarëve Viktimave të Shpërthimit, Gërdec nëpërmjet një letre drejtuar kryeprokurores Ina Rama kërkon vënien e të gjithë personave që dyshohen si përgjegjës përpara drejtësisë, jo vetëm ata 29 të pandehur që priten të gjykohen në Gjykatën e Apelit, por edhe të Fatmir Mediut që ndaj tij ende nuk është zhvilluar asnjë seancë.

“Tashmë Kuvendi ka miratuar heqjen e pengesës ligjore për të ndjekur penalisht deputetët. Ky kuadër i ri ligjor për imunitetet e deputetëve, krijon premisat e duhura për angazhimin Tuaj si institucion në këtë aksion në emër të drejtësisë. Më 11 tetor ky ndryshim i Kushtetutës është botuar në Fletore Zyrtare dhe nga data 26 tetor 2012 hyn në fuqi, duke e kthyer në konkrete mundësinë tuaj për të vijuar ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, si i vetmi person i përfshirë por ende i pagjykuar për tragjedinë e Gërdecit, pikërisht për shkak të imunitetit, që tashmë nuk e gëzon më”,- thuhet në letrën e drejtuar Ina Ramës.

Shoqata e Familjarëve të “Gërdecit”, bën thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të rinisë veprimet ndaj Fatmir Mediut, aty ku janë ndërprerë, për shkak se në 2009 ai gëzonte imunitet. “Në këtë situatë, presim nga ana Juaj të rinisni veprimet aty ku kanë ndalur në datën 14 shtator 2009, në kohën kur Gjykata e Lartë konstatoi se Fatmir Mediu kishte sërish mbrojtje nga imuniteti i ri i fituar në zgjedhjet e vitit 2009. Kërkojmë nga institucioni Juaj që të çojë përpara drejtësisë deputetin e akuzuar duke qënë se sic na u komunikua në atë kohë, imuniteti i ri ishte e vetmja pengesë që Gjykata e Lartë të vazhdonte gjykimin. Kujtojmë këtu se pas pushimit të cështjes, Juve nuk keni proceduar më tej pasi nevojitej një autorizim i ri nga Kuvendi, ndërkohë që përfaqësuesi juaj ka deklaruar përpara Gjykatës së Lartë në procesin e nisur prej Shoqatës sonë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka nisur për herë të dytë kërkesën për heqjen e imunitetit pasi “jemi në një situatë të paqartë juridike””,- vijon deklarata.

Familjarët kërkojnë drejtësi, pasi sipas tyre kjo tragjedi ka lënë pas dhe një pafundësi me probleme që po i persekutojnë, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre. Ndërkohë, që edhe pas shqetësimit dhe interesit të ndërkombëtarëve për këtë cështje, familjarët shprehen se çështja e Gërdecit është një sprovë e madhe për të gjitha institucionet.

VENDIMI
Pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Shkallës së parë 3 ditë (më 12 mars) para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes ‘Gërdeci’, ku asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes. Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit që shpërtheu më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.(LajmeShqip.com)