Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 13:02

Prishtinë – Raporti nuk është i saktë.Përveç që është plotësisht i trilluar, ai përbën shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Ky është vlerësimi që ka dhënë për Express, Nita Sopa, vajza e të ndjerit Hamdi Sopa.

“Ky shkrim përplot trillime dhe pa asnjë fakt paraqet shkelje te te drejtave te njeriut, te dy motrave dhe nenës sime te cilat tash e 5 muaj po mbahen plotësisht te pafajshme ne paraburgim”, ka thënë Nita të martën për Express.

Sipas saj të gjitha ato që po thuhen e po shkruhen nëpër media, janë shpifje që po ia shtojnë dhimbjen për ditë e më shumë. Kjo pasi ajo vet është pajtuar me faktin se babai i saj tashmë i ndjerë është vetëvrarë.

“Sa do e dhimbshme të jetë për mua, fatkeqësisht më është dashur të pajtohem që i ndjeri babai im, ka bërë vetëvrasje dhe kjo do të dëshmohet së shpejti”, pohon ajo.

“Mirëpo ajo qe po ma shton këtë dhimbje tani, është se sistemi dhe individët e papërgjegjshëm po m’i vrasin edhe motrat dhe nënën”, thotë Nita, duke i lutur të gjitha mediat që të kenë konsideratë ndaj dhimbjes dhe tragjedisë që po përjeton ajo dhe familja.

“Iu lus mos u merrni me shpifje”.

Ky reagim vjen vetëm pak orë pasi mediat publikuan një raporti përfundimtar të autopsisë së viktimës Hamdi Sopa duke pretenduar se ky raport konfirmon vrasjen e ish-zyrtarit të Qeverisë Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Thuhet se prokurori i rastit Blerim Isufaj ka një muaj që e posedon raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në të cilin shpjegohen shkaqet e vdekjes së Sopës pesë muaj më parë, pas hedhjes së tij nga kati i nëntë i banesës.

Ky raport konstaton se shenjat në trupin e viktimës nuk kanë të bëjnë me një vetëvrasje, por vrasje. Gjetjet e këtij raporti janë të njëjta me ato të raportit preliminar që i ishin dorëzuar prokurorit një javë pas vdekjes së Sopës, gjë e cila pati shtyrë prokurorin të urdhëronte arrestimin e tri të dyshuarave Teuta, Artina dhe Erna Sopa për vrasjen e bashkëshortit, përkatësisht babait të tyre.