Lajme Shqip Monday, 01 July 2013 11:31

Tiranë-  Familja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur pa gjurmë prej 18 vitesh, shpreson se me ardhjen në pushtet të së majtës do të mund të mësojnë fatin e njeriut të tyre. 

Përmes një letre të hapur, familja Hoxha, pasi uron fitoren e së majtës, duke e cilësuar si një fitore historike, shprehet se ‘tani kemi shpresë për të pasur një varr për njeriun tonë të dashur’. 

Më poshtë po botojmë të plotë letrën e Ardian Hoxhës, djalit të të zhdukurit Remzi Hoxha, i cili nuk heziton të rithekojë akuzat e rënda ndaj drejtësisë shqiptare, që sipas tij, është kapur keqas nga krimi. 

 

Letra e plotë: 


Në emër të familjes Hoxha, më lejoni të përshëndes fitoren historike të Edi Ramës dhe Ilir Metës, e më shumë se kaq të përshëndes dorëheqjen e Sali Berishës nga jeta politike. Familjes tonë tani i erdhi shpresa që për shumë vite vinte duke u zvogëluar. Kemi 18 vite që kërkojmë gjetjen e së vërtetës dhe vënien e drejtësisë në vend për zhdukjen, torturimin dhe vrasjen e babait tim, Remzi Hoxhës. Nuk më hiqen nga sytë pamjet e proceseve gjyqësore, që ishin të kurdisura dhe që një grup aktorësh amatorë do të kishin aktruar më mirë se trupi gjykues, prokurorja dhe avokatët mbrojtës të personave që zhdukën babain tim. Gjithçka ishte e parapërgatitur në mënyrë që kriminelët e Berishës të mos dilnin as të njollosur, e lëre më të dënuar. Ky grup kriminelësh, kryeshef i të cilit është Sali Berisha, jo vetëm që e zhduku, torturoi dhe vrau babain tim, e zhdukën trupin e tij, e torturuan dhe vazhdojnë t’a torturojnë familjen dhe miq e familjes sonë për 18 vite, në fund dolën edhe të pafajshëm. Dhe më irrituesja është që i vetmi dënim, sa do minimal që është, iu dha personit që këta ndihmuan të arratiset, Ilir Kumbaros. Pra, njerëzit që janë në Tiranë, bashkëpjesëmarrësit e Kumbaros në krim, pra Arben Sefgjini, Budion Meçe, e Avni Koldashi lihen absolutisht të lirë, pa asnjë njollë. Kjo pra tregon se sa thellë e ka kapluar krimi shtetin shqiptar. Për avokatët mbrojtës kuptohet se paguhen që t’i mbrojnë kriminelët, se atë e kanë profesion, por që edhe prokurorja dhe trupi gjykues të punojnë në shërbim të krimit dhe kriminelëve, këtë vetëm Sali Berisha mundi t’a bëjë. Sot ne ndihemi më me shpresë. Kam 65% të jetës time që kërkoj të gjej eshtrat e babait tim. Kaluan 18 vite, u ndërruan disa pushtete dhe askush nuk ishte i interesuar të na i gjente eshtrat e babait tim, saqë ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi na tha duke u tallur me ne: “Pse nuk ua gjetën socialistet për 8 vite që ishin në pushtet?”. Por kësaj radhe duket ndryshe. Tani kemi shpresë. Kësaj radhe vërtetë duket më ndryshe. Siç edhe besoi dhe shpreson e gjithë Shqipëria dhe votuan për Edi Ramën dhe Ilir Metën, edhe familja ime beson dhe shpreson për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shpresojmë se drejtësia dhe institucionet e shtetit shqiptar do të funksionojnë ashtu si duhet. Shpresojmë për një Rilindje të vërtetë dhe në vënien në funksion të vlerave më të larta njerëzore. A mos vallë është shumë të kërkojmë eshtrat e babait tim? E gjitha që kërkojmë është t’ia bëjmë babait tim vetëm një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. Edhe një herë, faleminderit që na e sollët shpresën dhe ju priftë e mbara!
/BW/LSH