Lajme Shqip Sunday, 02 March 2014 16:27

Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të njohur shkurt si FAK. Por përveç ndryshimeve Kushtetuese që duhen për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, nevojitet edhe miratimi i një buxheti shumë më të madh.

Për këtë vit Qeveria e Kosovës i ka ndarë FSK-së vetëm 42 milionë euro për përmbushjen e aktiviteteve.

Eksperti i sigurisë Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se Kosova me kapacitetet aktuale ekonomike që ka, mund të përballoj një ushtri numerikisht të vogël, rreth 4 mijë trupa aktive, si dhe 1500 trupa rezervë, e pajisur me armatim të lehtë, e cila do të ishte e aftë të mbronte sovranitetin dhe integritetin e vendit, si dhe të kontribuonte në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për themelimin e një force të bazuar në këto kapacitete, Qeveria duhet të ndajë një buxhet deri në 60 milionë euro, i cili nuk e tejkalon shumën 4% të buxhetit aktual të Republikës së Kosovës.

“Buxheti aktual i Kosovës nuk u lejon forcave të ardhshme të Kosovës që të pajisjen me mjete të rënda luftarake, siç janë të pajisura shumica e shteteve në rajon. Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pajisja e tyre me mjete të rënda luftarake është shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për buxhetin aktual të Kosovës”.

Ndërkaq, ‘Kosova Sot’ sjell edhe të dhënat nga Ministria e e FSK’së, të cilat flasin për një buxhet të varfër dhe jo të mjaftueshëm për Ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Remzie Zeqiraj, major Oficer për Marrëdhënie me Publikun në MFSK, ka bërë të ditur për gazetën se buxheti për vitin 2013 ka qenë i planifikuar dhe i aprovuar në vlerë prej 39.347.258.00 eurosh, ndërsa buxheti i alokuar ka qenë 36.966.530.04 euro”.

Ky buxhet është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe aprovuar nga Parlamenti, në përkrahje të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Gjatë muajit mars dhe prill do të bëhet planifikimi për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015 – 2017.