Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 16:47

Prishtinë – Piter Feith, duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka thënë se çdokush duhet të kundërshtojë dhunën dhe frikësimin dhe të përkrahë zgjidhjen e situatës së tanishme në Kosovë me mjete paqësore.
Përmes një deklarate për media, të enjten, Feith ka theksuar se çdo akt i dhunës dhe frikësimit, nga cilado pale, është i papranueshëm dhe si i tillë duhet të kundërshtohet.
“Askush nuk do të fitojë ndonjë përparësi përmes veprimeve të tilla. Të shtënat fatale kundër një polici dhe veprimet e tjera që sfidojnë sundimin e ligjit duhet të dënohen në mënyrën më të fuqishme”, është shprehur ai.
Feith i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që të promovojë qetësinë dhe të tregohet i përmbajtur. Ai ka thënë se duhet të ketë bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe KFOR-in dhe me Policinë e Kosovës.
“Është shumë me rëndësi që situata e tanishme të zgjidhet në mënyrë paqësore, përmes diskutimeve dhe negociatave, duke përfshirë edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pastaj fokusi do të vihet në mënyrë të duhur në interesat afatgjate të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Piter Feith.