Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 18:10

Shtërpcë – Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovës (ICO), Piter Faith, vlerëson se Qeveria e Kosovës ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin e Kosovës.

Këtë deklaratë Faith e ka bërë gjatë vizitës që i ka bërë Komunës së Shtërpcës, me rastin e Ditës së Komunës, ku është takuar me krerët e kësaj Komune, kryetarin Bratisllav Nikoliq dhe nënkryetarin Beqir Fejzullahu.

“E kam thënë edhe me datën 26 se Qeveria ka plotësisht të drejtë të përpiqet të marrë kontrollin në tërë territorin, po ashtu çka kam thënë është se Qeveria duhet të bëjë të pamundurën që të integrojë të gjitha komunitete dhe të mbrojë të drejtat individuale të secilit komunitet dhe që të punojë drejt pajtimit”, është shprehur shefi i ICO-së.

Feith ka sqaruar se marrja nën kontroll e tërë territorit nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me funksionimin e ligjit dhe ruajtjen e pikave kufitare, por ka të bëjë edhe me sigurimin e komunitetit serb, që të ndjehen të mirëseardhur dhe të ndjehen mirë në mjediset ku ata jetojnë.
Duke iu referuar bllokadave të rrugëve në Veri të Kosovës, Piter Feith u ka bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë marrëveshjet e arritura ditë më parë mes KFOR-it, autoriteteve të Prishtinës dhe serbëve.

“Unë do t’i bëja thirrje të gjithëve që t’i respektojnë ato që janë arritur me përpjekjen e Buhlerit mes përfaqësuesve serbë dhe autoriteteve të Prishtinës dhe të gjitha kushtet që janë në këtë marrëveshje mirëkuptimi të zbatohen sa më parë që të jetë e mundur”, ka theksuar Faith.

Ndërkaq në pyetjen se çfarë do të bëhet me personat e armatosur që janë në veri, Faith ka rikujtuar edhe njëherë se përdorimi i forcës dhe dhuna është e patolerueshme.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën e përdorimin e forcës dhe të respektojnë sundimin e ligjit. Kam besim se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e çdo qytetari në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie është, po ashtu jam shumë i bindur se mirëkuptimi që është arritur me ndihmën e gjeneralit Buhler do të vazhdojë të jetë në fuqi në mënyrë që t’i përmirësojë gjerat atje, të mbajë situatën e qetë dhe të gjitha palët të punojnë të relaksuara, sapo të vazhdojë dialogu i nisur, i cili do të rifillojë më 5 shtator”, tha Piter Faith.