Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 18:26

Huffington Post ka radhitur Presidenten Jahjaga si një prej 10 femrave myslimane që secili duhet t’i njohë.

Aty përkrah Presidentes së Kosovës, radhiten Kryeministrja e Bangladeshit dhe ajo e Malit, ndër femrat më të fuqishme të botës islame

Qysh prej fillimit të karrierës së saj si Presidentja e parë e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është përmendur nga media të shumta botërore, si shembull i avancimit të gruas në nivelet më të mëdha vendimmarrëse të politikës.

Huffington Post, një portal amerikan, përmend Presidenten Jahjaga si një ndër 10 femrat botërore, të cilat secili njeri duhet t’i njohë. Por kësaj radhe, Jahjaga është futur vetëm në listën e femrave myslimane, të cilat mbajnë poste të rëndësishme shtetërore, duke u radhitur përkrah Kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed, dhe asaj të Malit, Cissé Mariam Kaïdama Sidibé.

Portali amerikan shkruan se përkundër përshtypjes që ekziston, gratë myslimane kanë shërbyer si lidere revolucionare dhe heroike.

Megjithatë, thotë portali, në vitet e fundit, për shkak të klimës globale socio-ekonomike, togfjalëshi “grua myslimane” mund të krijojë një imazh të gruas së ndrojtur dhe të pafuqishme, të strehuar pas burrit të saj.

“Megjithatë, ky imazh nuk është ajo që historia na tregon apo ajo çfarë e tashmja jonë reflekton. Për shembull, Kryeministrja aktuale e Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed dhe ajo e Malit, Cissé Mariam Kaïdama Sidibé, janë gra myslimane.

Ngjashëm, Presidentja aktuale e Kosovës, Atifete Jahjaga, është gruaja më e re presidente në botë, si dhe gruaja e parë myslimane presidente e vendit”, shkruan portali amerikan.

Javë më parë, revistat Daily Beast dhe Newsweek kishin radhitur Jahjagën ndër 150 femrat më të guximshme të botës.