Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 01:32

Bruksel – Shqipëria është shumë pranë marrjes së statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, zbuloi një pjesë të raportit, ende të papërfunduar, të Komisionit Europian, që pritet të publikohet më 10 tetor, në kuadër të politikave zgjeruese të BE-së.

Sipas raportit të Komisionit Europian, dialogu mes qeverisë dhe opozitës shqiptare bëri të mundur kapërcimin e krizës dhe miratimin në kohë të reformave kyçe, si kodi zgjedhor apo reforma parlamentare, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt BE-së.

Sipas dokumentit, Tirana zyrtare ka bërë një punë të mirë, për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të BE-së për marrjen e statusit kandidat.

Që prej vitit 2009, janë hedhur poshtë kërkesat e Shqipërisë për tu bërë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE, por duket se këtë vit vendi ynë do të arrijë të kalojë provimin e Brukselit, duke marrë një opinion pozitiv më 10 tetor.

Më pas rekomandimi i KE-së shkon në tryezën e Këshillit të BE-së, në muajin dhjetor, ku vendet anëtare duhet të marrin një vendim përfundimtar.

Nëse i jepet drita jeshile, Shqipëria do të bëhet kështu vendi i pestë i Ballkanit, kandidat për të hyrë në BE, pas Kroacisë që do të anëtarësohet në 2013-ën, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Këtyre vendeve u shtohen edhe vende të tjera kandidate, si Turqia dhe Islanda, ndërsa Bosnje Hercegovina dhe Kosova janë ende në pritje. (LajmeShqip.com)