Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 18:26

Bruksel-Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka përshëndetur heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.

Deklarata e Fyle erdhi pasi ministrat e vendeve anëtare të BE diskutuan për të ardhmen evropiane të Ballkanit.  “Ky zhvillim pozitiv është shqyrtuar nga ministrat e Çështjeve Evropiane, gjatë diskutimit nëse liderëve të BE-së do t’u rekomandohet që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit”, deklaroi Fyle.  

Në raundin e radhës të bisedimeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të premten e kaluar u arrit marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve.

Shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, bëri të ditur dje në një konferencë për shtyp detajet e marrëveshjes, duke theksuar se ajo respekton ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Tahiri u shpreh gjithashtu se me nënshkrimin e këtij pakti, Serbia tashmë ka njohur kufirin e shtetit të Kosovës, edhe pse Beogradi nga ana e tij vijon t’i quajë vija administrative.

Largimin e barrikadave nga fshati Jagenjicë u konfirmua mbrëmjen e së hënës edhe nga komanda e KFOR-it, që e cilësoi këtë veprim të serbëve të veriut si një hap të madh përpara. Ndërsa sipas kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, në një mënyrë apo një tjetër është edhe njohje ‘de jure’ e kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë.