Lajme Shqip Saturday, 08 December 2012 07:32

Bruksel – Ky më poshtë është shkrimi i agjencisë së Brukselit “EurActiv”, ku theksohet se Shqipëria nuk do marrë statusin e kandidatit në dhjetor e madje as deri pas 23 qershorit, kur duhet të japë prova se ka mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme.

Ministrat e Bashkimit Europian nuk do i japin Shqipërisë statusin e kandidatit për në BE gjatë takimit të javës së ardhshëm, i thanë burimet diplomatike EurActiv. Megjithatë, ata do i japin dritën jeshile hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë, nëse respektohet një numër kushtesh si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Të paktën një vend, Holanda, ka kundërshtuar ashpër dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, ka mësuar EurActiv, ndërkohë që Ministrat e Çështjeve të Jashtme do të diskutojnë çështjet e zgjerimit në takimin e së hënës, 10 dhjetor në Bruksel.

Komisioni rekomandoi në tetor që Këshilli Europian të fuste Shqipërinë në klubin e vendeve kandidate që konsiston në Turqinë (1999), Maqedoninë (2005), Malin e Zi, (2008), Islandën (2010) dhe Serbinë (mars 2012). Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës i është premtuar perspektiva evropiane e anëtarësimit, por nuk kanë arritur marrëveshje për stadin e vendit kandidat. Kroacia do të bëhet anëtare vitin që vjen.

Diplomatët perëndimorë i thanë EurActiv se ata nuk presin të marrin një vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi duhet të bëjë më shumë për t’u kualifikuar veçanërisht sa u përket 12 kushteve, të nënvizuara nga Komisioni Europian në raportin e tetorit.

Mbajtja e zgjedhjeve është një çështje që na shqetëson, shtuan ata.

Ndërkohë që vendi mban zgjedhjet në qershor, vitin tjetër, vendimi nuk duket se do merret përpara se vendet e BE të sigurohen se janë aplikuar standarde demokratike në zgjedhje dhe se votuesit kanë qenë në gjendje të zgjedhin një parlament e qeveri të re pa tensionet e rasteve të mëparshme.

Tekst inkurajues për Serbinë

Ministrat e BE pritet të miratojnë një tekst për Serbinë, që do të futet në konkluzionet e samitit të 13-14 dhjetorit, sipas të cilit BE sheh përpara për hapjen e negociatave me vendin, në bazë të kushteve, të cilat sipas diplomatëve nuk janë të reja për Beogradin.

Serbia po përpiqet që të hapë negociatat e anëtarësimit dhe mund të jetë pjesërisht e kënaqur nga një tekst i tillë, por diplomatët insistojnë se ata duan të dërgojnë mesazhin se do ruhet një vrull i tillë marrëdhëniesh.

Kushtet, thonë ata, janë të zakonshmet dhe përfshijnë normalizimin mes popullatës serbe në veriun e Kosovës me pjesën tjetër të Kosovës si dhe të ashtuquajturën marrëveshje për menaxhim të integruar të kufijve në Kosovë, që duhet të menaxhohet bashkërisht nga patrullat kufitare serbe dhe kosovare.

“Ne mendojmë se kushtet janë vendosur, tani duhet të plotësohen. Nuk bëhet fjalë për të shtuar apo për të hequr ndonjë kusht. Ne duhet të punojmë mbi bazën e asaj se çfarë është pranuar,” tha një diplomat i nivelit të lartë.

Ai shtoi se implementimi i kushteve do i lejojë BE-së që të avancojë me procesin e integrimit të Kosovës. (T.O/LajmeShqip.com)