Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 08:47

Prishtinë – Zyrtarë të lartë të doganës dhe të policisë së EULEX-it kanë vlerësuar punën e homologëve të tyre vendas, të cilët kanë konfiskuar një sasi të madhe të drogës që besohet të jetë heroinë.

25 kilogramë lëndë narkotike janë gjetur në një autobus në vendkalimin kufitar me Maqedoninë, Hani i Elezit, të martën më 29 nëntor, ngjarje për të cilën Policia e Kosovës ka kryer disa arrestime.

“Është shumë inkurajuese të shohim që Dogana e Kosovës dhe Policia Kufitare e Kosovës kanë treguar iniciativë dhe entuziazëm në këtë operacion. Sasia e drogës së konfiskuar me këtë rast është e konsiderueshme, pothuajse sa 50 për qind e tërë heroinës së konfiskuar në Kosovë vitin e mëparshëm. Ky operacion i suksesshëm tregon sa mirë janë duke përparuar agjencitë vendase për zbatimin e ligjit,” tha Mike Marsden, Shef i Doganës së EULEX-it.

“Duhet të përgëzojmë po ashtu edhe Policinë e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në konfiskim”, tha Rene Boumendil, zëvendësshef i Policisë së EULEX-it. “Operacionet e tilla tregojnë profesionalizmin gjithnjë e më të madh të PK-së dhe shpresojmë që në të ardhmen do të kryhen më shumë operacione të tilla”, shtoi ai.

Zyrtarët doganorë dhe policorë të EULEX-it vazhdojnë të punojnë ngushtë me agjencitë vendase për zbatimin e ligjit.