Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 13:44

Prishtinë- Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosova ka njoftuar se do të shfaq dokumentarinë me  “Në kërkim të pagjeturve”, i cili do të transmetohet në RTK të dielën më 19 shkurt, në ora 22.00. 

“Ky film, gjithashtu, mëton t’i kundërpërgjigjet kritikave se numri i personave të pagjetur nuk është zvogëluar dhe se asgjë nuk është duke u bërë në këtë drejtim”, vlerëson Francoise Lambert, Zëvendës Drejtoreshë e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it. 

Në një kumtesë shtypi EULEX-i thuhet se ky dokumentarë tridhjetë minutësh do të shfaqet me rastin e publikimit të raportit njëvjeçar të Departamentit për Mjekësi Ligjore të këtij misioni.  

“Ne ende nuk e dimë vendndodhjen e rreth 1790 personave nga radhët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Prandaj, prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, përmes Departamentit për Mjekësi Ligjore, është që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i gjetur dhe kthyer mbetjet mortore të dashurve tek familjet e tyre, dhe kështu të ndihmojnë në procesin e pajtimit”, thuhet në një kumtesë shtypi të EULEX-it.  

Ky dokumentar sipas kësaj kumtese paraqet punën e këtij departamenti dhe i dokumenton vështirësitë me të cilat përballet personeli i tij në punën e tyre të përditshme, si dhe të arriturat e tyre të shumta.  

“Këtu paraqiten njerëzit të cilët sjellin shpirtin dhe përvojën e tyre jetësore në punën e tyre për të kontribuar për çështjen e personave të pagjetur në Kosovë. Njëra nga temat më të rëndësishme në këtë dokumentar është se si personeli i EULEX-it ia përcjell njohuritë dhe aftësitë e tyre bashkëpunëtorëve të tyre vendas, në mënyrë që të ngritën kapacitetet vendase për një kohë afatgjate”, thuhet në këtë kumtesë shtypi. (LajmeShqip.com)