Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 16:35

Prishtinë – Edhe misioni i EULEX-it ka reaguar ndaj lëvizjeve ilegale të zyrtarëve serbë në veri të Kosovës, por përfaqësuesit e këtij misioni nuk kanë dashur t’i komentojnë mundësitë e arrestimit të tyre.

Zëdhënësi Nicolas Hawton, ka deklaruar se “EULEX ka një qëndrim parimor kundër hyrjeve ilegale”.

Hawton tha se qëndrimi lidhur me arrestimet e mundshme do të formulohet ”varësisht nga takimet që janë duke u zhvilluar edhe sot lidhur më këtë çështje”.

EULEX-i ka pozicion parimor kundër hyrjeve ilegale në territorin e Kosovës, ka thënë ai.

Ndërkohë, si kundërbalanc ka qenë kërcënimi në veri që ka ardhë pikërisht nga Goran Bogdanoviqi. I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se “barrikadat në rrugët në veri të Kosovës nuk do të largohen, derisa të arrihet një marrëveshje për problemin e pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje”.

Bogdanoviq ka mbajtur një taki me politikanët serbë në veri të Kosovës, ku është shprehur për ndalim të dhunës dhe për dialog, por, krahas kësaj, ka thënë se barrikadat nuk do të largohen kurrë.