Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 14:08

Prishtinë-Misionin europian për sundimin e ligjit, EULEX kërkon që Serbia, pa vonesë të informojë opinionin publik për varreza masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës.

Njësia për mjekësi ligjore në raportin e vet për personat e pagjetur, i ka kërkuar Qeverisë serbe që të verifikojë lokacionin te Miniera e Rashkës, ku dyshohet se janë të varrosur 300 trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

EULEX ka deklaruar se Qeveria e Serbisë ka potencial që ta bëjë këtë, duke përdorur metodat shkencore dhe teknologjinë përkatëse.

Gjithashtu qeverisë së Serbisë i kërkohet që të lirojë qasjen në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dokumentacionin e Ushtrisë së Serbisë të vitit 1998 – 1999 në të cilat ndodhen informacionet për luftën gjatë këtyre viteve në Kosovë.

Sipas Euleksit këto dokumente janë të rëndësisë vitale për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas EULEX-it akoma nuk dihet asgjë për fatin e 1790 personave të zhdukur gjatë luftës.

Sipas EULEX-it zbardhja e fatit të personave të pagjetur akoma kërkon angazhimin e të gjithëve si dhe një përkushtim të vazhdueshëm për këtë çështje shumë të ndjeshme. (LajmeShqip.com)