Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 13:07

Prishtinë – Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, së bashku me institucionet e Kosovës, po i shqyrton detajet konkrete të vendosjes së sërishme të kontrollit doganor në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Nicolas Hauton.

“Së bashku me institucionet e Kosovës po punojmë në vendosjen e kontrollit normal doganor në të dy vendkalimet, ndërsa detajet konkrete janë në shqyrtim e sipër”, ka thënë ai.

Komentet e zëdhënësit të EULEX-it u bënë pas paralajmërimeve të djeshme të kryeministrit Thaçi, se marrëveshja për vulat doganore do të fillojë të zbatohet më 16 shtator.

Në anën tjetër ndaj paralajmërimeve të kryeministrit Thaçi për vendosjen e doganierëve të Kosovës në veri, ka reaguar menjëherë kreu i ekipit negociator të Beogradit, Borisllav Stefanoviq. Ai tha se shteti i Serbisë dhe qytetarët e saj do të bëjnë gjithçka për të parandaluar veprimet e njëanshme për vendosjen e doganierëve kosovarë në pikat e kalimit në Jarinje dhe Bërnjak.

Jeremiq tha se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare  që ta pamundësojnë këtë veprim të Qeverisë së Kosovës, e cila, siç ka thënë ai, “ka për qëllim të marrë veriun e Kosovës dhe të ndryshojë përbërjen etnike në atë pjesë”.

Ai e ka njoftuar opinionin publik se për këtë çështje tashmë ka kërkuar edhe ndihmën e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian në dialogun serbi Kosovës, Robert Cooper. (LajmeShqip.com)