Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 09:50

Prishtinë – Zyra për Informim e EULEX-it ka lëshuar një deklaratë lë lidhje me çështjet e përgjimeve. Sipas EULEX-it, përgjimet u kryen gjatë hetimeve në rastin e Ministrisë së Transportit.

“Prokurori i EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) ngriti një padi në rastin e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit më 16 nëntor. Së bashku me padinë, të gjitha provat e mbledhura u dorëzuan gjatë hetimit, siç kërkohet nga ligji i zbatueshëm. Gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë marrë nga një kopje të materialit të njëjtë”, thuhet në deklaratë.

Sipas EULEX-it, dosja e çështjes përfshinte përgjimet telefonike, duke përfshirë edhe ato audio të cilat përfunduan në publik. “PSRK është duke kërkuar të vendosë nëse në këtë çështje është kryer ndonjë vepër penale nga ata që shkresat e lëndës ia plasuan publikut, dhe nëse duhet të nisë ndonjë hetim”, thuhet më tej në deklaratë.

Misioni i EULEX-it përmes deklaratës shpreh keqardhjen për faktin se përgjimet përfunduan me publikimin e tyre. “Misioni nuk mund të bëjë ndonjë koment të mëtejshëm mbi një rast i cili është në vazhdim e sipër. Prokurorët e EULEX-it janë tërësisht autonom në detyrat e tyre”, thuhet në deklaratë. (LajmeShqip.com)