Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 12:33

Një studim i mirëfilltë dhe i gjatë është bërë nga dy studiues spanjollë për Misionin e Bashkimit Europian në Kosovës, EULEX.

Sipas këtij studimi EULEX-i ka dështuar në objektivat kryesore dhe e ka humbur luftën për të qëndruar largë ndikimit të politikës vendore. Në studim thuhet, po ashtu se e ardhmja e këtij misioni tashmë është e pasigurt.

Dy analistë spanjollë të politikave të Bashkimit Europian, Salvador Llaudes dhe Francisco Sanchez, kanë publikuar një studim që ka të bëjë me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

Ata kanë ndjekur një vijë kronologjike të ngjarjeve që nga konflikti i vitit 1999 e deri te shpallja e pavarësisë, për të shpjeguar se si ka ardhur deri te ideja e vendosjes së një misioni që do ta mbikëqyrte sferën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovën e pavarur.

“Në vitin 2014, është vënë në pikëpyetje pastërtia e këtij misioni, pasi që disa nga gjyqtarët po akuzoheshin brenda për brenda EULEX-it për korrupsion”.

“Kjo sulmonte direkt objektivave primare të këtij misioni”.

“Gjithçka rrodhi pasi prokurorja speciale, Mariah Bamieh, kishte ngritur akuza për prokurorin italian Florence Florit, i cili akuzohej nga Bamieh se kishte marrë 300,000 euro shpërblim që t’i lironte nga akuzat tre të paditur për vrasje”, thuhet në analizën e realizuar nga spanjollët.

“Pritet që misioni EULEX të përfundojë në vitin 2016, çka do të thotë se ndërprerja e punës së tij, nënkupton se qëllimet nuk janë arritur dhe se ky mision është larg suksesit, transmeton klan kosova.

“Efektiviteti i EULEX-it po vihet në pikëpyetje, tani ndoshta më shumë se kurrë. Ndonëse është e vërtetë se disa nga objektivat janë arritur, ndikimi i politikës në drejtësi dhe korrupsioni, ende janë mbi të gjitha arritjet e EULEX-it”.

“Deri më tani lufta kundër ndikimit të politikës në institucione është e humbur. Në këtë mënyrë, e ardhmja e EULEX-it është e pasigurt”.

“Qysh kur avokatit Jaean Paul Jacque iu kërkua nga Federica Mogherini, që të bëjë hetime rreth korrupsionit brenda vetë institucionit, është konfirmuar se dyshimet e hedhura mbi prokurorët europianë janë serioze dhe se EULEX nuk është zgjidhja e vetme e problemeve në Kosovë”, shkruhet në këtë analizë.