Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 12:01

Prishtinë – Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX ka konfirmuar sot arrestimin e shtatë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte.

“Një panel i gjykatësve të EULEX-it dhe atyre të Kosovës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ka modifikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke ndryshuar masën e arrestit shtëpiak në paraburgim kundër shtatë të dyshuarve për krime lufte ndaj popullatës civile”, thuhet në njoftimin e misionit të BE-së.

Po sipas tij, paneli ka pranuar apelin e prokurorit special dhe ka hedhur poshtë ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve.

“Arsyeja kryesore për caktimin e paraburgimit është rreziku për pengimin e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë arrestuar shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së në orët e vona të së premtes.

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodheshin në arrest shtëpiak me vendim të Gjykatës së Apelit.