Prishtinë-Listës së gjatë të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që kanë dosje në prokurori për korrupsion i janë shtuar edhe të tjerë. Prokuroria tashmë ngarkon ish kreun kësaj ministrie dhe zëvendëskryeministrin aktual Bukoshi për shpërdorim të detyrës zyrtare në kontrata milionëshe. Zëdhënësja e EULEX-it Bardha Azari tha se Bukoshi dhe të tjerët ngarkohen me të paktën 11 vepra penale.
“ Një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, ish sekretarit permanent të kësaj ministrie Ilir Tolaj dhe nëntë të tjerëve. Në mesin e akuzave me të cilat ata ngarkohen janë keqpërdorim i detyrës zyrtare, lajmërim i rremë, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike , kontrata të dëmshme për ministrinë, evazion fiskal dhe mitmarrje”-tha Azari.
Avokati i Bukoshit, Destan Rukiqi megjithëse ka thënë se nuk e ka marrë aktakuzën ai ka këmbëngulur se klienti i tij është i pafajshëm. Përfshirja e Bukoshit në ndërmarrjen e përbashkët abuzuese lidhet me shkëputjen e një kontrate për barna të kompanisë “Jona med”, pronë e Hashim Deshishkut deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aktakuza përmend edhe 5 raste të kontratave të tjera. (LajmeShqip.com)