Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 17:02

Prishtinë – EULEX ka kërkuar që Sami Lushtaku të kthehet në Dubravë, aty ku po e vuan masën e paraburgimit prej dy muajsh. Megjithatë mjekët e repartit ku ndodhet Lushtaku i shtruar nga dita e shtunë, po thonë që ai ka nevojë për terapi dhe kujdes të mëtutjeshëm.
Gjendje e njëjtë thuhet të jetë edhe për ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi. Doktor Sami Delijaj, shef i repartit të ortopedisë së përgjithshme në QKUK, ka pohuar për Kosovapress se Lushtaku ka dhimbje të mëdha të gjurit dhe se i njëjti ka nevojë për ekzaminim të mëtutjeshëm.
Ai ka pohuar se Lushtaku është sjell nga Burgu i Dubravës, si rast urgjent dhe me rekomandim të Spitalit Rajonal të Pejës, pasi që i njëjti kishte dhimbje të gjurit me intensitetit mjaft të lartë.
Mjeku Delijaj, ka thënë se përkundër terapisë që është përdorur në Qendrën Emergjente, pacienti nuk ka mundur të rezistojë dhe është bërë hospitalizimi i tij dhe të njëjtën kohë është vendos për metodat diagnostike- hulumtuese në mënyrë që të dihet për natyrshmërinë e problemit.
“Në bazë të ekzaminimit klinik dhe rengelogjik, dyshohet se te pacienti i njëjtë kemi të bëjmë me një lloji instabiliteti të një segmenti të rëndësishëm të kolonës vertebrale dhe dyshohet se njëra nga unazat ka pasur një rrëshqitje me çka është krijuar një komprosion në palcën kurrizore dhe dhimbjet e tilla janë të padurueshme. Tani jemi duke përdorur terapi me të cilën jemi duke e lehtësuar dhe përballuar situatën në të cilën gjendet” , ka pohuar ai.
Ky problem shëndetësor, sipas mjekëve, ka ardhur si pasoi e plagëve të marra nga armët e zjarrit të shkaktuara në kohën e luftës. Megjithëkëtë, EULEX-i ka adresuar një kërkesë në drejtim të QKUK-së, ku kërkohet kthimi i Lushtakut në burgun e Dubravës.
“Tani kam marrë një paralajmërim nga gjykatësi i EULEX-it se pacienti i njëjtë duhet të kthehet në burgun e Dubravës, megjithatë ne kemi formuluar një raport për të gjitha procedurat diangostike dhe terapeutike të cilat pacienti patjetër duhet t’u përmbahet. Është punë e tyre si vendosin, megjithatë ne në aspektin profesional të angazhuar dhe njëkohësisht në aspektin etik të detyruar që trajtimin e secilit pacient që vjen këtu të trajtojmë në mënyrë profesionale dhe sa më adekuate”, ka pohuar ai.
Ndërkohë, që edhe ambasadori Sylejman Selimi vazhdon të trajtohet në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK. Mjeku Sami Gjokaj, shef i Klinikës së Kardiologjisë, ka deklaruar se ambasadori Selimi është duke u ekzaminuar dhe se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, por jo në mënyrë të kënaqshme.
“Është i pranuar para tri dite, kemi filluar me analiza rutine dhe deri më tani mund të themi se gjendja është duke iu përmirësuar por jo e kënaqshme, derisa sa të bëhen ekzaminime të tjerë për diagnostikim më të sigurt se nga lëngon ai dhe të dihet se a janë probleme kardiake, apo të natyrës abdominale. Deri më tani është konstatuar se ka gurë në idhzë”, ka pohuar ai.
Edhe mjeku Gjokaj, ka vlerësuar se ambasadori Selimi duhet të qëndrojë i shtrirë deri në ekzaminimin e plotë dhe diagnostifikimin e sëmundjes
Ndërkohë, misioni për sundimin e ligjit EULEX, i cili po zhvillon hetime ndaj tyre, për dyshime për krime lufte, tashmë ka adresuar kërkesën që Sami Lushtaku të kthehet në paraburgim.