Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 17:29

Prishtinë – EULEX-i është duke parë të gjitha mundësitë që t’i deimunizojë deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët janë nën hetime.

Kështu kanë konfirmuar të hënën, në Prishtinë, zyrtarë të këtij misionit, duke përsëritur se kreu i Parlamentit të Kosovës e ka refuzuar kërkesën e EULEX-it për të nxjerrë rezolutën e cila do të kërkonte nga qeveria që të shtrojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e imunitetit për deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Në një deklaratë me shkrim të këtij misioni, thuhet se EULEX-i vazhdon të besojë se çështja e imunitetit të deputetëve ka nevojë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është në dobi të të gjithëve dhe EULEX-i është duke diskutuar se si të vazhdohet përpara me këtë çështje, thanë zyrtarë të këtij misioni.

Kryetari i parlamentit, javën e kaluar tha se kërkesa e EULEX-it nuk është e bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe as në rregulloren e punës së Parlamentit dhe se sipas tij, qeveria ka të drejtë të kërkojë opinion nga Gjykata Kushtetuese pa kërkuar mendimin e Parlamentit.

Por, kryeministri Thaçi e ka përjashtuar mundësinë që qeveria e tij të ndërmarrë një veprim të tillë, duke ju referuar edhe qëndrimeve të zyrtarëve të lartë amerikan të cilët i bënë thirrje kryetarit të Parlamentit që të çojë përpara këtë çështje.