Lajme Shqip Saturday, 22 August 2015 08:05

Qeveria e Kosovës e ka proceduar të premten për në Kuvend një projektligj, me të cilin themelon Agjencinë për mjekësinë ligjore. Me të EULEX-it do t’i reduktohet roli në udhëheqje.

Departamenti i mjekësisë ligjore aktualisht bashkëdrejtohet nga vendësit e ndërkombëtarët, dhe bashkëkryesuesi nga EULEX-i ka rol edhe në politikëbërje. Me t’u avancuar në agjenci, EULEX-i do të mund ta nominojë vetëm zëvendësdrejtorin, por që nuk do të ketë një rol të tillë.

Projektligji, një kopje të së cilit e ka siguruar gazeta, krijon vetëm mundësinë që ekspertët e EULEX-it të punojnë së bashku me autoritetet vendëse me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve vendëse dhe për të siguruar që Agjencia ka ekspertë të mjaftueshëm të trajnuar mirë që janë në gjendje të ofrojnë ekspertizë mjekoligjore, duke i plotësuar standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane.

Në nenin 18 saktësohet se vetëm me kërkesën e drejtorit, ekspertët e EULEX-it do të ofrojnë ekspertizë në çdo lloj të ekzaminimeve mjekoligjore, përfshirë autopsitë. Në anën tjetër, zëvendësdrejtori që nominohet nga EULEX-i do të jetë përgjegjës vetëm për angazhimet operacionale të ekspertëve të EULEX-it, shkruan Koha Ditore.