Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 15:33

 

Ndërkohë që pritet përfundimi i mandatit të EULEX-it, ky mision ka hapur konkurs për rekrutim të stafit të ri në Kosovë.

Në prag të themelimit të Gjykatës Speciale, janë shpallur plotë 124 pozita të lira, të cilat sipas dokumentit që posedon GazetaFjala duhet të plotësohen deri në fund të këtij viti, kurse për disa prej pozitave, afati për rekrutim është deri në janar 2016.

 

EULEX-i do të punësojë hetues për krime lufte në kuadër të njësisë për krime të tilla, hetues për krim të organizuar, prokuror e gjykatës ndërkombëtar.

Me këtë konkurs tetë persona që do të angazhohen në intervenime speciale me rrezikshmëri më të lartë, katër prokuror, dy gjykatës penalë në gjykatën e Apelit, pesë zyrtarë të hetimeve të krimeve të rënda si dhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve tjerë ligjor e staf tjetër administrativ.

Megjithatë, në zyrën për informim të këtij misioni thonë për Gazetën Fjala se ky konkurs nuk ka të bëjë me përgatitje për staf të ri për Gjykatën Speciale por vetëm për staf të rregullt.

“Konkursi i shpallur është për rekrutim të rregullt në mision”, thotë Besa Domi zëdhënëse në Eulex.

Eulex, ka filluar punën në Kosovë në dhjetor të vitit 2008 për luftimin e krimit dhe korrupsionit në nivel të lartë, megjithatë vitin e kaluar është përballur me akuza të rënda për korrupsion brenda vet misionit.